Derbi nuk do të zhvillohet të premtën mes Ponte Prizrenit (ish Kalasë) dhe KB Bashkimit në Prizren – por KB Golden Eagle Ylli dhe KB Rahoveci do të përballen të shtunën në Suharekë, në atë që në tri edicionet e fundit është shndërruar në derbin më të zjarrtë të basketbollit kosovar.
Me plot të drejt mund të bëhet një konstatim i tillë, pasi rivaliteti mes Trepçës dhe Prishtinës, e Pejës dhe Prishtinës është minimizuar ose nuk ekzsiton më fare – për shkak të rrethanave të njërit apo klubit tjetër.
Që nga hyrja e Rahovecit në Superligë basketbolli kosovar është begatuar me një derbi të ri të madh regjional, i cili mund të thuhet lirshëm se është tashmë një derbi mes rivalëve të përbetuar.
Zanafilla e këtij derbi…
Dy qytete mike në kufi me njëra-tjetrën që bënë gjithmonë shkëmbime tregtare asnjëherë nuk e menduan se do të vinte koha për një rivalitet që do t’i kalonte suazat e normales.
Në futboll ekzistoi një rivalitet regjional ndër kohë, por pa urrejtje të skajshme, që nuk ndikoi as në jetën mes dy qyteteve.
Por, Rahoveci, që zhvillonte ndeshjet si vendas në Suharekë, nuk priti mirë kërcënimin e tifozëve të Yllit në vitin 2016, të cilët kushtëzuan klubin Vreshtar të luante ndeshjen si vendas në Suharekë, ashtu si secilën ndeshje tjetër atë kohë, pasi kështu do të kishte mundësi Ylli – sipas tifozëve – të fitonte më lehtë dhe të rrëmbente kreun.
Rahoveci vendosi të zhvillonte atë ndeshje në Gjakovë, një sfidë e cila ishte ndërprerë disa herë për shkak të fyerjeve mes dy tifozerive ultras, përplasjeve mes tifozëve në tribunën e përzier mes adhuruesve që u supozua se nuk do të prekeshin nga koret ofenduese të dy tifozerive ultras. Edhe energjia elektrike ndihmoi në këtë konflikt, për të cilin u nevojit intervenimi i njësisë speciale që arrestoi dhjetëra tifozë të Rahovecit, “Ultras Vreshtarët”.
Atë ndeshje Rahoveci e humbi për një pikë disavantazh, pasi Muhamed Hasani humbi dy gjuajtje të lira në momente vendimtare edhe pse sfida nuk kishte vlerë për pozicion tabelar, vetëm për krenari dhe për atë që prej asaj kohe do të shndërrohej në derbin më të përbetuar dhe me urrejtjen më të madhe – e mollë sherri ishte palestra e pa përfunduar në Rahovec, e cila tash e 10 vjet nuk është përfunduar.
Rahoveci që prej asaj ndeshje ka të gjitha fitore ndaj Yllit dhe vetëm një humbje, një bilanc pothuajse të përkryer edhe pse pa palestër.
Klubi vreshtar pa palestër arriti playoffin nga pozita e tretë edicionin e kaluar, duke lënë prapa Yllin, krejt kjo falë ndryshimeve të skuadrës në janar të vitit 2018, kur u nënshkrua Bujar Locin, amerikanin Tyler Deihl, Arti Hajdarin e Arian Qallakun dhe me kapitenin legjendar të ekipit, Besnik Sharku, i cili u kthye për të dhënë shtysën e fundit drejt suksesit historik, vendit të tretë dhe pjesëmarrjen e parë në playoff – pa palestër, një sukses që tifozët ju gëzuan më shumë për shkak se në vendin e katërt ishte rivali Ylli.
Tifozeritë rregullisht kanë udhëtuar që prej instalimit të këtij rivaliteti të përgjakshëm dhe gjithmonë ka pasur përleshje, tensione he korre herë herë edhe racsite. Kujtojmë banerin e “Xhebrailave”, të cilët shkruan një baner racist “Rahovec – Made in Bugaria” të cilin FBK e dënoi me vetëm 500 euro.
Derbi sot…
Të shtunën nga ora 19:00 zhvillohet derbi i parë i këtij edicioni mes Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit. Thuhet se ka derbi në Prizren mes Ponte Prizrenit (skuadrës së re që hyri në Superligë që dikur njihej si Kalaja) dhe Bashkimit, por derbi i vërtetë do të zhvillohet në Suharekë.
Ky është dueli i tetë mes dy skuadrave, prej të cilave dy skuadrat kanë nga katër fitore.
Por, në katër ndeshjet e fundit, Rahoveci ka tri fitore dhe vetëm një humbje, madje ka arritur të mposhtë Yllin edhe në Suharekë para mijëra tifozëve, ndërkaq Rahoveci në të gjitha duelet mbushi palestrën në Gjakovë me nga tre mijë tifozë që udhëtonin rregullisht për këtë përballje duke krijuar super atmosferë.
Golden Eagle Ylli është në top formë, pasi ka dy fitore në dy ndeshjet e para nën drejtimin e Arben Krasniqit dhe me skuadrën mjaft të përforcuar duke përcaktuar qartë synimet për titull të kampionit.
Formë aspak më inferiore nuk po tregon Rahoveci, që mposhti Borean e më pas edhe Bashkimin, këtë të fundit në atë që ishte fitore e parë historike ndonjëherë. Edhe Vreshtarët, që kanë premtimin e madh për përfundimin final të palestrës në fillim të vitit 2019 shpresojnë në playoff dhe në një ecuri të paprecedentë me duele në palestrën e re që do të mund të kulmonte me ëndrrën e madhe, titullin e kampionit. Kjo nuk fshihet në Rahovec, pasi që konsiderohet jo e pamundur një synim i tillë me palestrën e re, ashtu siç fillimisht nga rivalët u konsiderua edhe hyrja në ligë, e prezenca në playoff – pa palestër, gjithmonë si mysafir.
Dueli i të shtunës do të jetë një tjetër ogur i mirë për basketbollin e Kosovës, pasi ky do të jetë derbi i madh i vërtetë i basketbollit dhe është i tillë në tri edicionet e fundit, ndonëse për gurmanët e basketbollit në Prishtinë dhe Prizren nuk konsiderohet ashtu dhe ka injorimin e disa mediave – kjo nuk ka rëndësi për rahovecianët dhe suharekasit, të cilët kanë marrëdhënie tejet të acarruara edhe në sfera tjera të jetës për shkak të basketbollit.
Tifozët “Ultras Vreshtarët” kanë konfirmuar udhëtimin në Suharekë, çka e bën mundësinë për incidente shumë të madhe, andaj edhe rendi dhe siguria pritet që të jetë e hekurt për këtë ndeshje që do të definojë qartë kualitetin e këtyre dy skuadrave në një duel që pritet të jetë shumë i ngushtë.
Derbi nuk do të zhvillohet në Prizren, por në Suharekë dhe ai është derbi i madh mes Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit.
/Telegrafi/