Java e 18-të apo e fundit për stinorin vjeshtor në Vala Superligën e Kosovës ka nisur ditën e premte.
Megjithatë dy ndeshje tejet interesante pritet të zhvillohen sot në kuadër të javës së fundit të stinorit vjeshtor.
Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Drenas, ku përballen Feronikeli dhe Prishtina.
Vendasit vijnë në këtë takim pasi po kalojnë një formë fantastike pas ardhjes së trajnerit të ri Zekirija Ramadani.
Në shtatë ndeshjet e fundit ‘Nikli’ nuk di për humbje ku ka marrë katër fitore dhe tri barazime.
Ndërkohë në këtë sfidë Prishtina vije pas dy fitoreve radhazi ndaj Vllaznisë dhe Gjilanit.
Prishtina ka katër pikë më shumë se Feronikeli në tabelë dhe synon që me një fitore të ngritët në pozitën e parë.
Interesant pritet të jetë edhe në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë ku përballen Drenica dhe Liria.
Ndeshja ishte paraparë të zhvillohet në ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj por pas kushteve të rënda atmosferike është bartur për në ‘Riza Lushta’.
Edhe Drenica e Liria janë duke kaluar nëpër një moment të mirë, ku vendasit kanë grumbulluar 25 pikë pas 17 ndeshjeve ndërsa prizrenasit zënë pozitën e katërt me tri pikë më shumë. /Telegrafi/