Arsenali ka bërë një paraqitje fantastike në derbin lokal ndaj Tottenham Hotspur të zhvilluar në Emirates Stadium, të cilin e fitoi me rezultat 4-2.
Nikoqirët e nisën për mrekulli takimin duke e zhbllokuar rezultatin që në minutën e 10-të me golin e Pierre-Emerick Aubameyang nga pika e bardhë.
Mirëpo, pas gjysmë ore lojë, pas një harkimi të Christian Eriksen nga gjuajtja e lirë, topi shkoi te Eric Dier, i cili e barazoi rezultatin (30′).
Katër minuta më pas, mysafirët e përmbysën rezultatin me golin e Harry Kane (34′) të realizuar nga penalltia. Dhe me epërsi të Spursave skuadrat shkuan në pushim.
Në gjysmën e dytë, Arsenali u aktivizua dhe Aubameyang e barazoi rezultatin (56′) pas asistimit nga Aaron Ramsey.
Alexandre Lacazette e bëri përmbysjen e dytë (75′), këtë herë në favor të nikoqirëve, ndërsa asistues sërish ishte Ramsey.
Vulën e fitores për të zgjedhurit e Unai Emery e dha Lucas Torreira (77′), i cili shënoi falë asistimit nga Aubameyang.
Me këtë fitore, Arsenali ngritet në kuotën e 30 pikëve dhe mban pozitën e katërt në tabelë, ndërsa lideri Manchester City është tetë pikë larg.
Me pikë të barabarta, Tottenham Hotspur është një vend më poshtë në tabelën e Ligës Premier.
Në xhiron e radhës, Topçinjtë zhvillojnë një tjetër derbi, atë ndaj Manchester Unitedit, derisa Spursat luajnë kundër Southamptonit. /Telegrafi/