Drenica dhe Feronikeli kanë barazuar me rezultat 0-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të IPKO Superligës së Kosovës.
Pjesa e parë e takimit ishte e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat nuk krijuan edhe aq, pasi të dyja patën vetëm nga një rast që vlen të përmendet.
Të parët që rrezikuan ishin vendasit e Drenicës, të cilët me anë të Armend Abazi (19′) provuan, por goditja e tij shkoi fare pranë portës së Smakiqit.
Në anën tjetër, Feronikeli provoi në minutën e 39-të me anë të Alush Gavazajt, por goditja e tij shkon jashtë portës dhe skuadrat shkojnë në pushim pa gola.
Në pjesën e dytë, vendasit ishin për një nuancë më të mirë dhe patën raste më shumë dhe më të pastra.
Luhej minuta e 51-të e ndeshjes kur përsëri Abazi shërbehet bukur me kokë nga Isa Eminhaziri, por gjuajtja e tij përfundon pranë portës.
Në minutën e 58-të ishte Qemail Elshani, i cili shpërdoroi një rast ideal shënimi pasi gjuajti mbi portë brenda zonës, ndërsa Feronikeli iu përgjigj në minutën e 60-të me anë të Kastriot Rexhës, i cili gjuan me kokë pas harkimit të Yll Hoxhës, por pret pa befasuar portierin vendas.
Drenica rrezikoi edhe në minutën e 62-të me anë të Arbios Thaçit, i cili lëshon një goditje të fortë nga largësia, por topi shkon pranë portës së Smakiqit.
Deri në fund të ndeshjes, të dyja skuadrat patën edhe raste tjera shënimi, por pa arritur t’i tundin rrjetat dhe u desh të pajtohen me barazim pa gola 0-0.
Në ndeshjen e radhës, Drenica luan në udhëtim te Prishtina, ndërsa Feronikeli e pret në shtëpi Ballkanin e Suharekës. /Telegrafi/