Telegrafi

Derbi i Anamoravës mbyllet në paqe – Drita dhe Gjilani ndajnë pikët

Drita ka luajtur baras me rezultat 1-1 ndaj Gjilanit në derbin lokal në kuadër të javës së tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Rasti i parë i takoi Dritës të cilët lëshuan një rast ideal për të kaluar në epërsi në minutën e 21-të përmes Kastriot Selmanit.

Të besuarit e Zekirija Ramadanit arritën eventualisht të shënojnë golin e epërsisë në minutën e 35-të me anë të Raddy Ovoukas i cili realizoi për 1-0 pas asistimit të Arb Manaj.

Kur po dukej se pjesa e parë do të mbyllej me epërsi minimale të Dritës, mysafirët ia dolën të barazojnë shifrat.

Për të barazuar rezultatin në 1-1 u përkujdes Armend Thaqi i cili në minutat shtesë të pjesës së parë u tregua i saktë nga pika e bardhë.

Në pjesën e dytë pati një dominim të lehtë të Dritës sa i përket rasteve të shënimit, por që rrjetat mbetën të paprekura.

Almir Ajzeraj në minutën e 52-të dhe Besnik Krasniqi në minutën e 73-të rrezikuan portën e Haxhihamzës, por pa sukses.

Pas javës së tetë, Drita numëron 13 pikë të fituara dhe mban pozitën e pestë në tabelë por me një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa Gjilani tashmë ka nëntë pikë dhe renditet në pozitën e shtatë./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore