Telegrafi

Dera është e hapur për Lionel Messin: A do të qëndrojë ai te Barcelona?

Zgjedhjet presidenciale të klubit të Barcelonës janë afër. Anëtarët do të votojnë për njërin nga tre kandidatët më 7 mars, duke i dhënë fund edhe pikëpyetjeve të Lionel Messit.

Pasi të zgjidhet presidenti i ri do të ulet me kapitenin e ekipit të parë për ta provuar që ta bindë atë se gjëja më e mirë për të dhe klubin do të ishte që ai të qëndronte në Barcelonë.

Pas burofaxit verën e kaluar dhe sezonit të vështirë të Barcelonës, shumica mendojnë se Messi do të largohet nga “Camp Nou” kur kontrata e tij skadon në qershor.

Megjithatë, realiteti është ndryshe. Çdo derë mbetet e hapur për 33-vjeçarin dhe e ardhmja e tij do të varet nga oferta që presidenti i ri i paraqet atij.

Messi dëshiron një projekt të fortë sportiv i cili do të bëjë që Barcelona të konkurrojë për trofe në të ardhmen e afërt.

Nëse sulmuesi bie dakord të nënshkruajë një marrëveshje të re, paratë nuk do të jenë problem për të. Messi nuk është motivuar kurrë nga paratë dhe megjithëse të ardhurat e tij janë të mëdha, ai nuk kërkoi shumë nga klauzolat që janë në kontratën e tij aktuale.  Ishte klubi që ia ofroi atij.

Burimet e klubit i kanë thënë MARCA-s se Messi është shumë më i hapur ndaj idesë për të qëndruar në Barcelonë se sa ishte para disa muajsh.

Burime pranë lojtarit gjithashtu kanë refuzuar të përjashtojnë këtë mundësi.

Për momentin, Messi nuk ka marrë një vendim. Po, ai donte të largohej nga Blaugranat kur Josep Maria Bartomeu ishte president, por shumë gjëra kanë ndodhur që nga dorëheqja e tij dhe çdo mundësi mbetet e hapur.

Vetë lojtari është në fakt i pakënaqur nga thashethemet e vazhdueshme që rrethojnë të ardhmen e tij. Ai nuk i pëlqente komentet e fundit që dilnin nga Paris Saint-Germain.

Messi dhe babai (agjenti i tij), Jorge, nuk po dëgjojnë oferta nga klube të tjera, pasi Jorge ka qenë në Argjentinë për disa kohë dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me ndonjë klub tjetër.

Në fund, është vendimi i Messit dhe gjithçka do të varet se cili president do të zgjidhet.

Ndoshta emrat brenda projektit do të jenë arsyet kryesorë. Georginio Wijnaldum dhe Sergio Aguero janë gjithashtu jashtë kontratës këtë verë dhe do të ishin më të lirë për të nënshkruar, emra që pëlqehen nga argjentinasi.

Erling Haaland, Matthijs de Ligt ose Jules Kounde duken më larg, pasi kërkohet shumë para për ta dhe Barcelona mbetet në krizë. /Telegrafi/