Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar një rezolutë përmes së cilës do t’i kërkohej Muzeut të Kosovës krijimi e një hapësire e cila paraqet kontributin e grave në luftë dhe gjatë rezistencës.
Deputetja Tinka Kurti ka deklaruar se në këtë mënyrë do të edukoheshin gjeneratat e reja me një frymë barazie.
Kuvendi i Kosovës po mban seancë me vetëm një pikë të rendit të ditës, debat parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri.
“Ne sot po paraqesim një rezolutë me një pikë të vetme, ky Kuvend në vitet e kaluara ka miratuar rezoluta disa për gratë por ato nuk janë zbatuar. Ta votojmë sot një pikë të vetme por që mund të jetë e zbatueshme dhe të kujdesemi deri në vitin e ardhshëm që ajo është zbatuar. Sot duhet të dakordohemi vetëm për ftesën që i bëjmë Muzeut të Kosovës për krijimin e hapësirave që njohin kontributin e grave në luftë dhe gjatë rezistencës, dhe të zotohemi se do t’i ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme. Duke e njohur, pra duke e pranuar do t’i edukojmë gjeneratat e reja me një frymë më të barabartë. Janë të panumërta t’i përmendim të gjitha poret e pabarazive, sigurisht që ato janë shoqërore, ekonomike e historike”, ka thënë deputetja Kurti.
Ajo ka thënë se muzetë kudo në botë janë duke e shtuar pjesën e munguar të historisë së grave.