Telegrafi

Deputetja Hoxha: Ndërhyrjet e Vetëvendosjes në autonominë dhe rrjedhën në UP janë sistematike

Foto: Arkiv

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka reaguar sot lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës, duke thënë se është një superkapje e arsimit të lartë.

Hoxha para deputetëve theksoi se arsimi duhet të jetë mision kombëtar, ndërsa tha se ndërhyrjet e Vetëvendosjes në autonominë dhe rrjedhën në UP kanë qenë sistematike.

“Sot kemi ardhur në situatën që Vetëvendosje nuk proteston për gjendjen në UP…”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së theksoi se mësymje e kapjes së UP e ka zbehur shpresën për autonomi në universitet.

“Kësaj qeverie as arsyetimet më nuk i bien tamam”, tha ndër të tjera, Hoxha.

Lexo po ashtu Nagavci: Nuk jemi të kënaqur me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues në UP

Ndryshe, ditë më parë Senati i Universitetit të Prishtinës ka zgjedhur pesë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Lexo po ashtu Senati zgjedh pesë anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues UP "Hasan Prishtina"

Anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të UP, që morën votat në raundin e tretë, janë: Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi.

Mundësia që këta të zgjidhën u krijua vetëm pas ndërhyrjes së policisë që t’i largojë nga hyrja senatorët që janë në përfundim të mandatit, të cilët bllokuan shkallët me qëllim që të mos mbahet takimi, ngase sipas tyre, mundësia që studentët senatorë të rinj të votojnë përbën shkelje.

Në lidhje me pretendimet e tyre, studentët që po e përfundojnë mandatin paralajmëruan kallëzim penal.

Pesë anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues, bashkë me katër anëtarë që emërohen nga ministrja e Arsimit, do ta zgjedhin rektorin e ri të UP-së. /Telegrafi/