Site icon Telegrafi

Deputetja e PS-së e përfshirë në dosjen e Veliajt paraqitet në SPAK

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, është paraqitur këtë të hënë në Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Emri i kryetares së Komisionit të Ligjeve doli në dosjen e SPAK për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Ervion Veliaj. Sipas dosjes Bushka dyshohet se ka intimiduar dëshmitarët në hetimet për Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Pas arrestimit të kryebashkiakut, demokratët kërkuan largimin e Bushkës nga kryesimi i Komisionit të Ligjeve.

Një ditë më pas, në një mbledhje të grupit parlamentar socialist, Bushka hodhi poshtë akuzat e SPAK dhe tregoi lidhjen e saj me Veliajn dhe bashkëshorten. “Është e vërtetë, unë jo vetëm e njoh Ajola Xoxën por kam bashkëpunuar me të edhe para se të bëhesha deputete dhe ky është një fakt i ditur. Erjon Veliaj është miku im i fëmijërisë. Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku por edhe për transformimin e kryeqytetit. Kjo lidhje më ka bërë që të përjetoj bashkë me ta gjithë kalvarin e muajve të fundit, përfshirë linçimin publik dhe trysninë e vazhdueshme që u është dashur të përballojnë. Jo pak herë kam qenë pranë Ajolës, duke e mbështetur si mike por edhe si ish-kolege në nivelin njerëzor. Me Erionin për shkak të angazhimeve kam pasur mundësinë të flasë më rrallë. Në çdo rast i kam transmetuar besimin e palëkundur tek e drejta, e vërteta, te drejtësia”, tha Bushka.

Exit mobile version