Telegrafi

Deputetja e PDK-së: Shqipëria mbështet marshin për ish-krerët e UÇK-së

Përfaqësuesit e partive kryesore politike në Shqipëri kanë dalë në mbështetje të Marshit për Drejtësi, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, të enjten ka bërë të ditur nga Tirana se përfaqësuesit e politikës shqiptare i kanë dhënë mbështetje marshit që do të mbahet këtë të diel nga ora 14:00 në Prishtinë.

Ajo ka postuar fotografi bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me nënkryetaren e PD-së Jorida Tabaku dhe me kryetaren e Grupit Parlamentar të PDIU, Mesila Doda.

“Shqipëria, pa asnjë dallim, në mbështetje të Marshit për Drejtësi, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje për ish-krerët e UÇK-së. Me 2 prill, përfaqësues të të gjitha partive shqiptare mbështesin “Marshin për Drejtësi”, në Prishtinë. Lufta jonë ka qenë çlirimtare dhe e drejtë. Rrjedhimisht, asnjë tendencë për të ndryshuar historinë tonë më të lavdishme nuk do të kalojë. Bashkë jemi më të fortë!”, ka shkruar Deliu Kodra.

Ndryshe, Marshi për Drejtësi do të mbahet ditën e diel duke filluar nga ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.