Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, ka uruar për formimin e qeverisë, ndërsa duke folur për planin, ashtu siç u prezantua në Kuvend, tha se nuk ka as edhe një strategji specifike se si do të rregullohen politikat institucionale të supozuara si të dëmshme përgjatë viteve sa ishin në opozitë.
Ismaili në një postim në Facebook shkruan se do të sigurohen që asnjë pikë e premtimeve që keni bërë të mos kalojë pa përgjegjësi dhe llogari.
Lexoni të plotë postimin:
“Nga këndi i opozitares, si një pozicion politik shumë i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë, urime për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës!
Prezantimi i planit qeverisës në Kuvend erdhi pas shumë deklaratave zyrtare nga të dyja palët se ka një përafrim për arritjen e koalicionit, pa detajuar asnjë pikë. Një lexim i përgjithshëm, pa specifikuar programin, është një premisë ciklike e pushtetit, pa prodhuar diç të re.
Akuzat për papërgjegjshmëri janë paragjykuese. Qasja për të organizuar jetën politike në suaza personale karshi atyre racionaliste nuk nënkupton u zhvillim, por stagnim të proceseve politike për të ndërruar akterë në pushtet.
I tërë plani, ashtu siç u prezantua në Kuvend, nuk ka as edhe një strategji specifike se si do të rregullohen politikat institucionale të supozuara nga ju si të dëmshme përgjatë viteve sa ishit në opozitë.
Qëndrimet dhe diskurset janë për konsum të brendshëm dhe ditor, gjë që u dëshmua me ndërrimin e fotografive pavarësisht ligjit, prezantimeve pranë flamurit të shtetit dhe simbolika të tjera.
Ashtu sikurse në opozitë, që nuk shpjeguat asnjëherë mënyrën e themelimit të Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran, ashtu ndodhi edhe në Kuvend.
Nuk ka as edhe një shpjegim të vogël, por me rëndësi të madhe, se si do të arrini që buxhetin e një mandati të projektoni me 3 miliardë euro, supozuar një rritje mbi 10 miliard euro? Po pyes, se çfarë linje ideologjike të politikbërjes, synuar në ekonominë e spektrit të majtë, përfaqëson Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë koalicion?
Partia Demokratike e Kosovës shtriu bazat e shtetndërtimit dhe nëse keni çka të ndërtoni tutje, ju megjithatë jeni në fundamentin tonë.
Do të sigurohemi që asnjë pikë e premtimeve që keni bërë të mos kalojë pa përgjegjësi dhe llogari.
E nëse synoni zhbërjen e shtetit, të arriturave apo edhe më keq riorientimin kombëtar të Kosovës, jemi çdo herë, si gjithnjë, pranë institucioneve për të marrë përgjegjësi”. /Telegrafi/