Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njoftoi nisjen e një turi dëgjesash në të gjithë Shqipërinë, ku PD do të takohet me qytetarët për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit.
Gjatë një komunikate për media në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, Tabaku tha se opozita ka pësuar në 14 maj një nga humbjet më të thella gjatë tranzicionit dhe ndaj nevojitet një reflektim.
Ajo shtoi se duhet të gjenden faktorët që çuan në një rezultat të tillë dhe prej aty të fillojë ringritja.
“Ne nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Diskutimet në grupin parlamentar lidheshin dhe me situatën që ndodhet PD dhe vendimet që ne duhet të marrim. Opozita ka përjetuar në 14 maj një humbje që në konsideratën tonë është më e thellë e 30 viteve të fundit”, tha Tabaku.
“Për të marrë vendimet dhe për të ecur përpara duhet të veprohet, duhet kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Së pari të kuptohet si ka mundësi që arritëm në një rezultat të tillë. Kemi nevojë të nisim një tur dëgjese me të gjithë demokratët, por dhe shqiptarët, për të kuptuar se si mund të ringrihemi”, tha Tabaku. /Telegrafi/