Telegrafi

Deputetja Deliu-Kodra reagon për këngën “Nuse, Mësuese”: Gratë e fuqishme fuqizojnë gratë!

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka reaguar pas këngës së fundit të Shkurte Fejzës dhe Gresa Behlulit të quajtur, “Nuse, Mësuese”.

Ajo thekson se gjuha seksiste dhe abuzive që njëherësh nxit përçmim ndaj grave është shumë dominante në shoqërinë tonë.

E njëjta po ashtu bën thirrje që të mos promovohet asnjë përmbajtje që kultivon gjuhë përçmuese e abuzive ndaj grave.

Ky është postimi i plotë i Deliut (pa ndërhyrje):

“Gjuha seksiste, abuzive dhe një diskurs i përgjithshëm publik që nxit përçmim ndaj grave është shumë i theksuar, për të mos thënë dominant në shoqërinë tonë dhe kjo gjendje shqetësuese nuk është aspak temë për argëtim!

Gratë e fuqishme fuqizojnë gratë!

Ky duhet të jetë parimi udhëheqës për gratë, të cilat kanë ndikim në shoqëri. Duhet ta shfrytëzojnë influencën dhe rolin e tyre në shoqëri për të promovuar vlerat e barazisë duke luftuar stereotipet dhe gjuhën përçmuese e abuzive ndaj grave dhe jo anasjelltas.

Në anën tjetër, lus mediet që të mos promovojnë asnjë përmbajtje që kultivon gjuhë përçmuese e abuzive ndaj grave”. /Telegrafi/