Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka vlerësuar lart plotësim ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës, duke thënë se me këtë do të bëhet më e lehtë lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Sipas saj, është tepër e duhur edhe sanksionimi i dhunës në familje, meqë ajo thotë se statistikat për dhunë në familje janë shqetësuese. Ajo tha se në vitin 2017 kanë qenë 1,196 raste të dhunës në familje, që janë raportuar.
“Ndryshimet që janë bërë në këtë projekt kod janë hap lehtësues për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, por gjithsesi edhe fuqizimit të sundimit të ligjit, si njëri prej kritereve kryesore për një shtet demokratik dhe prosperues në rrugëtimin e tij evropian. Si deputete me vjen mirë që një nen i veçantë për herë të parë sanksionon çështjen e dhunës seksuale, sepse u përmend dhuna seksuale, për çështjet e dhunës në familje, ku sanksionet do të arrijnë deri në tri vjet”, tha Deliu-Kodra.