Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin britanik, Alicia Kearns ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë.
Përmes një statusi në Twitter, ajo ka kritikuar ndërkombëtarët në lidhje me deklaratat e tyre kundër veprimeve të qeverisë së Kosovës në veri.
“Aktorët ndërkombëtarë duhet të ndalojnë së sulmuari zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që të vendosen në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.
“Për më tepër kur ata qëndrojnë të heshtur përballë militantëve e mbështetur dhe të armatosur serb, të cilët vazhdojnë të minojnë stabilitetin në veri të Kosovës”, ka shkruar tutje Kearns.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan të premten ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.
Me anë të një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.
Edhe Bashkimi Evropian dënoi ashpër përplasjet në veriun e Kosovës “të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.
BE-ja ritheksoi se zgjedhjet e fundit të pjesshme në veriun e Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë dhe se një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian./Telegrafi/
International actors should pause before attacking democratically elected officials taking up their offices in Northern Kosovo.
Not least when they stay silent on and fail to call out Serbian backed and armed milita who continue to undermine stability in the north of Kosovo.
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) May 26, 2023