Deputetja Duda Balje, ka reaguar rreth ndryshimit të Kodit Civil që lejon martesat e gjinisë së njëjtë.
Në një shkrim në Facebook, Balje shkruan se nuk del kundër fesë e as kundër vlerave familjare me të cilat është rritur.
E për këtë thotë se do të votojë kundër.
“Siç jeni në dijeni, nesër në rend të ditës në seancën plenare kemi në shqyrtim dhe votim Kodin Civil. Pikë e rendit të ditës është që ky Kod Civil përmban edhe lejimin e martesave të gjinisë së njëjtë”.
“Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR. Kundër, sepse nuk përket me kulturën, traditën në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”, ka shkruar Balje.
Ndërkaq, të mërkurën edhe Bashkësia Islame e Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës, së bashku kanë dalë me një qëndrim rreth Kodit civil që pritet të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës.
Këto bashkësi fetare pas konsultimeve mes vete, kanë kundërshtuar Kodin Civil që pritet të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës.
Kodi Civil i Republikës së Kosovës, Neni 1138 kapitulli për martesën thotë:
“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit (ofiqarit) të gjendjes civile”./Telegrafi/