Dy persona janë dërguar mbrëmë në Stacionin Policor të Kosovës në Prizren për intervistim, pasi mes tyre kishte shpërthyer një konflikt fizik.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, rasti ndodhi rreth orës 22:30 në Qendrën Sportive në Prizren, ku një i ri sulmoi fizikisht një roje sigurie, e më pas mori përgjigjen nga ai.
“I dyshuari H.M. tentoi të futej në një hapësirë të rezervuar për mysafirët e ftuar, ku hasi në kundërshtimin e rojes së sigurimit. Në këtë moment, i dyshuari e goditi me grusht në fytyrë punëtorin e sigurimit, i cili iu kundërpërgjigj duke e sulmuar fizikisht,” tha Bytyqi.
Të dy personat pësuan lëndime të lehta trupore dhe u liruan pas intervistimit në procedurë të rregullt.
Ngjarja ka nxitur reagimin e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila përmes një postimi publik ka denoncuar sulmin, duke e cilësuar si dhunë të papranueshme në një ditë që kishte për qëllim festimin e Ditës së Boshnjakëve.
“Në koncertin e mbajtur me rastin e Ditës së Boshnjakëve, një djalë 20-vjeçar u rrah vetëm sepse dëshironte t’u bashkohej të tjerëve në podium. Dhuna ndaj tij nuk është vetëm shkelje fizike, por edhe dhunim i të drejtave elementare që duhet t’i ketë çdo qenie njerëzore,” ka shkruar ajo.
Deputetja u bëri thirrje autoriteteve që të merren me këtë rast, duke kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve për të siguruar se incidente të tilla nuk do të përsëriten.
“Në këtë ditë, ku duhej të festonim së bashku, të drejtat themelore të një të riu u shkelën me brutalitet. Organet përkatëse duhet të veprojnë me seriozitet,” përfundoi Balje./Telegrafi/