Telegrafi

Deputeti socialdemokrat në Bundestag: Kurti t’i shtrijë dorën minoritetit serb

Fitorja e Vetëvendosjes së Albin Kurtit, për Josip Juratovicin,  deputetin socialdemokrat në Bundestag, është një fitore e demokracisë. “Një shenjë e mirë për demokratet dhe demokratët e vendit”.

Deputeti gjerman i bëri këto komente për Deutsche Welle në prag të vizitës së tij në Serbi dhe Kosovë.

“Ndryshimi i mundshëm i qeverisë duhet të shihet si një dinamikë e re në zhvillimin demokratik të Kosovës. Megjithatë, rezultati, sidomos për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, është detyrë dhe njëherazi përgjegjësi për të vënë në jetë në mënyrë aktive vlerat demokratike të partisë dhe vendit. I duhet zgjatur dora pakicës serbe të vendit për të ulur tensionet.  Këtu qeveria e re duhet t’i kthehet dialogut, në mënyrë që të vendosë stabilitetin dhe, mbi të gjitha, normalitetin për popullin e Kosovës. Ky dialog duhet t’u hapë të dyja palëve rrugën për një të ardhme paqësore me respekt dhe njohje të ndërsjelltë”,  tha deputeti socialdemokrat dhe eksperti për Evropën Juglindore.

Juratoviq ndodhet këtë të martë (8.10.2019) në Beograd me një grup kolegësh nga Komisioni  parlamentar për çështje të jashtme,  konkretisht grupi parlamentar që merret me parandalimin civil të krizave, mënjanimin e konflikteve dhe veprimin e rrjetëzuar.

Grupi udhëhiqet nga deputeti i të gjelbërve Ottmar von Holtz. Në delegacion marrin pjesë parlamentarë të të gjitha  partive.

Gjatë qëndrimit të tyre katërditor deputetët do të njihen nga afër me mundësitë e rifillimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se çfarë mund të bëjë pala ndërkombëtare për ta ndihmuar procesin.

Siç bëhet e ditur nga Bundestagu, delegacioni do të vizitojë Beogradin, Mitrovicën dhe Prishtinën, ku do të takohet me përfaqësues të BE-së, OSBE-së, KFOR-it dhe EULEX-it, përfaqësues të OJQ-ve, do të vizitojë projekte pajtimi në terren dhe do të bisedojë me përfaqësues të të rinjve dhe aktivistë të paqes. /dw/