Deputeti i NISMA për Kosovën, Haxhi Shala ka deklaruar se protesta e së shtunës do të jetë paqësore dhe se nuk ka arsye që të shqetësohet askush për mbarëvajtjen e saj.
Ky reagim i Shalës ka ardhur pas njoftimit të cilin e ka dhënë sot Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë për shtetasit e saj që të kenë kujdes pasnesër, sepse sipas tyre, mund të përshkallëzohet protesta.
Deputeti Shala në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel ka thënë se në protestë do të ketë edhe anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi deri në protestën e fundit kanë protestuar bashkë për të njëjtin qëllim.
Shala ka komentuar edhe braktisjet e fundit të anëtarëve të partisë.
Sipas tij, ata që po dalin nëpër media që po e lënë NISMA-n, faktikisht që dy vite nuk janë pjesë e partisë.
“Ne nuk kemi mundur t’i largojmë, por i kemi lënë që ata vet të shkojnë. Të braktisurit kanë punuar mjaft që NISMA-n ta aderojnë në ndonjë subjekt politik, por që nuk ja kanë arritur qëllimit”, ka deklaruar Shala.
Kurse informacionet e medieve që janë shuar disa degë të NISMA-s nëpër komuna, Shala i quan spekulime dhe thotë se nuk është e vërtetë që është shuar asnjë degë e partisë.
Ai ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme, për kandidaturat për kryetar të partisë si dhe ka dhënë një apel për Lëvizjen Vetëvendosje./Tribuna/