Shefi i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri sot në Kuvendin e Kosovës ka thënë se qartësisht është e ditur kush ka kryer krime në Kosovë dhe Bosnjë, ndërsa kërkoi nga kryeministri i vendit, Albin Kurti që të qartësojë siç tha ai deklaratën “për kriminelët e luftës”.
Tahiri para deputetëve të Kosovës tha se duhet t’i përkujtohet Kurtit se Serbia është përgjegjëse për mbi 400 masakra në Kosovë.
“Botërisht dihet se kush ka kryer krime në Kosovë dhe Serbi, dihet ku është adresa e kriminelëve të luftës”. Por diçka që nuk e kemi besuar është që kryeministri jonë nuk pati guxim të thotë adresa është Serbia”, tha Tahiri.
“Shqipëria shyqyr s’ka pasur luftë me Serbinë. As Maqedonia. As Mali i Zi. Luftë me Serbinë përveç Kroacisë, kemi pasur vetëm ne dhe Bosnja. Dy vende të Ballkanit Perëndimor. Por ne kriminelë lufte nuk kemi pasur. Kemi pasur djem e vajza që janë detyruar të rrokin armët për të shpëtuar jetën e tyre e familjeve të tyre. Kemi pasur UÇK-në. A e di dikush që UÇK-ja të jetë akuzuar për ndonjë masakër ndaj civilëve? Kriminelë të vërtetë lufte janë Radosllavi, Ivani, Nenani e Janko, që për eksperiencat e tyre vrastare në Kroaci e Bosnje, kanë folur me autorin Samuel Tanner në artikullin e tij ‘Krimet Masive në Jugosllavi’, publikuar në Revistën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq në volumin 80 të saj, në qershor 2008”, tha Tahiri.
“Ne i kërkojmë Kurtit të sqarojë se kush janë kriminelët në Kosovë”, tha ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar pas darkës me liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.
“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse i përmbahen tri vlerave të demokratizimit, të luftohen autokracitë në Ballkan, të luftohen oligarkitë dhe të eliminohen nga skena politike dhe institucionet kriminelët e luftës dhe të paqes. Edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”, ka thënë Kurti duke aluduar në liderët e shtetit të Serbisë. /Telegrafi/