Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu është përplasur në “Debat Plus” me deputeten e Vetëvendosjes për çështjen e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Haxhiu ka thënë se personalisht para një muaji ka qenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.
“Duhet ta kuptojmë çdonjëri që gjendje e jashtëzakonshme nuk nënkupton mbyllje por kufizime të caktuara. Ka mundësi që shteti gjatë kësaj gjendje të ndihmojë qytetarët dhe bizneset”, tha deputeti i PDK-së përcjell Telegrafi.
Ka reaguar deputetja e Vetëvendosjes e cila ka thënë si mund ta justifikoni “kërkesën e Presidentit për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në kohën kur shifrat e të prekurve nuk kanë qenë as dy shifrore”.
Haxhiu i është përgjigjur duke i thënë Kollçakut se “ju nuk mund të ekzistoni pa Presidentin”.
“Ju as frymë pa Presidentin nuk mund të merrni. A-ja dhe Zh-ja e juaja në debate është Presidenti”, ka vijuar me tej Haxhiu.
Mulhaxha-Kollçaku i ka reaguar duke i thënë “Presidenti është lideri juaj dhe ju i jeni referuar gjendjes së jashtëzakonshme pse e ka përmendur ai dhe nuk jeni distancuar”.
Deputetja e LVV-së ka vazhduar më tej akuzat ndaj deputetit të PDK-së duke i thënë “ju na keni sulmuar për masat kufizuese në kohën kur ju keni kërkuar kufizime ekstreme”.
Haxhiu thotë se Gjykata Kushtetuese na ka obliguar ta bëjmë një ligj për gjendjen emergjente./Telegrafi/