Site icon Telegrafi

Deputeti nga Lista Guxo kundërshton martesat mes gjinisë së njëjtë, i reagon kryeparlamentari Glauk Konjufca

Deputeti nga “Lista Guxo”, Burim Karameta ka shprehur kundërshtimin e tij për afirmimin e martesave mes gjinisë së njëjtë. Sipas tij, fëmijët që nga prindërit e gjinisë së njëjtë do të mund të jetë agresiv dhe të dhunshëm. Për këtë ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar që të përmbahet nga këto forma gjykimesh dhe të pandershme.

Në seancën plenare ku po diskutohet për draft-kodin civil, deputeti Burim Karameta ka folur në veçanti për nenin që afirmon martesat mes gjinisë së njëjtë.

“Të gjithë ne nëse duam familje, duhet ta krijojmë atë. Ne kemi të drejtë që fëmijëve tanë të braktisur e të krijuar nga natyrshmëria ta adaptojmë në një ambient ku nuk mund të krijojmë modelin e nënës dhe babait. Modelin e gjinisë së njëjtë dhe të kundërt. Dhe po këta fëmijë ndoshta nuk do të dëshironin një gjë të tillë dhe po këta fëmijë do të mund të jenë më agresiv dhe të dhunshëm në të ardhmen e tyre, pikërisht ndaj asaj gjinie që mungon modeli i tyre. Ne këtyre fëmijëve duhet t’iu ofrojmë familje e jo familjet t’iu krijojnë fëmijë. Natyrisht ne këtu jemi persona politik dhe duhet të kem parasysh edhe ndasinë politike dhe koston e saj, por më thoni se ku edhe sa afër organeve të Bashkimit Evropian jemi dhe më thoni se a është ky kushti i fundit për integrimin tonë në Evropë”, ka deklaruar deputeti Burim Karameta.

Lexo po ashtu Ndryshimi i Kodit Civil, Kurti: Nuk bëhet fjalë për martesën e personave me gjini të njëjtë

Më tej, ai tha se një gjë e tillë ka për qëllim cenimin e familjes.

“Kam qenë, jam dhe do të vazhdoj të jem kundër ndaj çdo mënyre e cila ka për qëllim cenimin e shenjtërisë, familjes dhe mbajtjes së llojit”, ka deklaruar ai më tej.

Për këtë ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili ka kërkuar që të përmbahet nga kjo gjuha paragjykuese.

“Duhet të kemi kujdes që në këtë kuvend të mos shprehemi në mënyrë paragjykuese dhe steorotipike. Në momentin kur personave të caktuar mendojmë që nuk janë bash normal dhe ju mungon diçka, apo janë më agresiv për arsyeje të caktuar të orientimit të tyre, kjo është fort e gabueshme, paragjykuese, steorotipike dhe unë jam kundër kësaj. Ju kisha lutur në fjalimet e juaja të ardhshme të përmbaheni nga këto forma gjykimesh, mendoj unë fort të pandershme”, ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Exit mobile version