Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu ka kërkuar nga qytetarët serbë në veri të vendit të distancohen nga bandat kriminale dhe nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit, për të cilën tha se po kërkon luftë.
Aliu në seancën e sotme të Kuvendit tha se Qeveria e Kosovës nuk do të heq dorë asnjëherë nga zbatimi i ligjit në veri.
“Për shkak të brishtësisë së situatës atje dhe partneritetit miqtë tanë ne kemi toleruar disa herë shtyrjen e zbatimit të vendimeve tona. Megjithatë, ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë vendim që kemi marrë dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë nga zbatimi i ligjit dhe obligimeve që dalin nga kushtetuta jonë.
Në asnjë pjesë të vendit nuk do të tolerojë mungesa e zbatimit të ligjit pa dallim etnie, feje apo regjioni. Kosova është e përcaktuar për një të ardhme demokratike, prosperuese dhe evropiane. Qytetarët tanë nga komuniteti serb në veri të vendit janë qytetarët tanë dhe duhet të distancohet nga bandat kriminale dhe regjimi i Vuçiqit që po kërkon luftë”, tha ai, raporton kp.
Ai kritikoi edhe ish qeveritë e kaluara, për siç tha qasjen e brishtë në veri të vendit.