Telegrafi

Deputeti i LVV-së komenton pamjet e stërmbushjes së librarive: Nuk thojnë asgjë, është normale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka komentuar disa pamje të radhës së gjatë të prindërve në libraritë e vendit gjersa sigurojnë tekste shkollore për fëmijët e tyre.

Në RTV Dukagjini, ai i ka cilësuar si “normale” pamjet e shfaqura.

“Është fillim shtatori, muaji i zgjimit kur krejt prindërit shkojnë në librari dhe blejnë. Për mua këto pamje nuk thojnë asgjë. Nuk shoh problem pse është bërë rend aty, është normale”, ka deklaruar ai. “Është normale në shtator, fundja e kemi përgjegjësi për fëmijët tanë…”.

Nga ana tjetër, deputeti i LVV-së Enver Haliti ka theksuar se ligji për tekstet shkollore që nga viti 2015 nuk ka arritur të shkojë në parlament për t’u votuar. Në vitin 2022, sipas tij, ky ligj nuk u përkrah nga opozita dhe i njëjti, nuk arriti të siguronte votat.

Propozimi i Ministrisë që tekstet shkollore të mos shpërndahen sikurse viteve të kaluara, por paratë të kalohen në llogari prindërve e më pas ata t’i blejnë vetë, ka nxitur kritika të shumta.

Viteve të kaluara sigurimi i librave bëhej nga Qeveria e Kosovës, kurse këtë vit është vendosur që prindërit të subvencionohen me nga 80 euro për blerjen e teksteve shkollore.