Telegrafi

Deputeti i LVV-së kërkon anulimin e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit: Nuk garanton paanshmërinë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka vërejtje të mëdha sa i përket procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Rrustemi, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar anulimin e këtij konkursi, duke numëruar disa arsye.

“Po ndjekim me shumë vëmendje procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit. Shqetësimet e ngritura nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL , si koalicion i Organizatave të Shoqërisë Civile janë me vend dhe i mbështes plotësisht”, ka shkruar ai, përcjell Telegrafi.

“Konkursi për zgjedhjen e Kryeprokurorit duhet të anulohet e të rishpallet, për shkak të shkeljeve, mungesës së transparencës dhe mos garantimit të paanshmërisë”.

Deputeti i shumicës parlamentare thotë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional, që së pari zgjidhet në mënyrë të rregullt, me vlerësim objektiv e transparent.

“Procesi që u zhvillua në KPK rezulton qartazi në shkelje procedurale e mungesë objektiviteti e transparence. Një gjë të tillë e thotë edhe koalicioni i organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë, të cilat kanë kërkuar me të drejtë anulimin”, ka shkruar tutje Rrustemi./Telegrafi/