Pas zgjedhjes së Isa Mustafës në postin e kryetarit të LDK-së, nga kjo parti kanë filluar zërat në përkrahje të deputetes Vjosa Osmani për kandidate të LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e ardhshme.
Është deputeti i kësaj partie, Haxhi Avdyli, i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Vjosa Osmani po merr përkrahjen e qytetarëve në çdo sondazh.
Postimi i Avdylit:
“LDK vazhdon edhe 4 vite me liderin e saj Isa Mustafa që mban stabilitetin dhe unitetin e saj. Kurse ndryshimi dhe fitorja e zgjedhjeve nacionale e konfirmuar në çdo anketë e sondazh online dhe fjalët e mijëra qytetarëve të takuar kudo, e ka emrin Vjosa Osmani-Sadriu. Ky binom do jetë i ndihmuar nga secili prej nesh kudo që jemi, për të risjellur Kosovën tonë në binarët e zhvillimit e progresit. Vazhdojmë…”, ka shkruar Avdyli.
Ndryshe, në prag të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, i cili u mbajt sot, e ku Isa Mustafa mori besimin e delegatëve për të udhëhequr partinë edhe një mandat, është spekuluar se në pjesë e marrëveshjes për kandidatin konsensual është edhe kandidati për postin e kryeministrit nga LDK në zgjedhjet e ardhshme.
Si dy kandidat të mundshëm për këtë post në LDK përmenden Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani. /Telegrafi/