Para ardhjes në vizitë në Kosovë të Kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, deputetët dhe analistët nuk presin ndryshim qëndrimesh të dy shteteve për përcaktimin e vijës kufitare.
Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj tha se Mali i Zi e ka kryer çështjen e përcaktimit të vijës kufitare me Kosovën.
“Unë nuk e besoj që ata do të vijnë për zgjidhje. Ma tepër e shoh si një lojë politike të Kryeministrit Haradinaj për të thënë e ftova, tentuam të bisedojmë”, tha Selmanaj.
Por deputeti Korab Sejdiu deklaroi se ose duhet të ratifikohet marrëveshja, ose të refuzohet ratifikimi.
“Aktualisht marrëveshja e cila është nënshkruar, ose duhet të ratifikohet, ose të refuzohet dhe pastaj nëse refuzohet duhet të kthehemi në pikën zero dhe ta rinegociojmë me Malin e Zi këtë çështje”, tha Sejdiu.
Ndërsa Glauk Konjufca për rtv21 tha se qeveria ka qëndrim të qartë për demarkacionin dhe duhet të gjejë mënyra për të diskutuar me përfaqësues të këtij shteti.
Deputetët thanë se nuk i kanë marrë ende materialet që qeveria i ka dërguar në Kuvend.
Kryeministri i Malit të Zi pritet të vijë me vizitë zyrtare në Prishtinë më 6 shkurt. Kjo vizitë është parë si lëvizje në drejtim të zgjidhjes së demarkacionit. Kujtojmë që dje në Podgoricë ka shkuar zv.Kryeministri Enver Hoxhaj, ku është takuar me ministrin e jashtëm të Malit të Zi.