Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, a ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për manipulim të konkursit për infermierë.
Sipas tij, të premtosh barazi e drejtësi dhe ta manipulosh procesin e konkursit, jo vetëm që është hipokrizi dhe mashtrim, por është vepër penale me të cilën duhet të merren organet e drejtësisë.
“Për më shumë se tri vite të qeverisë Kurti 1 dhe 2, e vetmja punë me të cilën Kurti mburret në shëndetësi është menaxhimi i tanishëm i Onkologjisë nga Dr.Ilir Kurtishi i PDK-së. Gjatë kësaj periudhe, në Onkologji tre drejtora i ka ndrru LVV-ja dhe me të gjithë ka dështuar duke krijuar radhë të gjata e lista të pritjes në Onkologji, derisa u detyrua ta rikthej Dr. Ilir Kurtishin në menxhim të Onkologjisë”, ka shkruar Haxhiu, transmeton Telegrafi.
“Albin Kurti refuzoi të përgjigjej lidhur me emërimin e Radomiroviqit zëvendës ministër, edhe pse ai e ka pohuar se ka qenë pjesë e ushtrisë serbe gjatë luftës. Nuk u përgjigj as për bashkpunimin me Radojqiçin e as për vjedhjen e rezervave shtetërore me sekserin e tij Ridin, sepse tha – jemi në QKUK”.
“Por pasi ishte në ShSKUK Albin Kurti bashkë me Arben Vitinë e Elvir Azizin do të duhej të përgjigjeshin për dyshimet në manipulim të konkursit për pranim të infermierëve, ku gjatë testimit janë shpërndarë pyetjet e testit përmes telefonit dhe se janë ngritur pikët e testit për disa kandidatë të preferuar të LVV duke cenuar barazinë në konkurrim.
“Të premtosh “Barazi dhe Drejtësi” dhe ta manipulosh procesin e konkursit, jo vetëm që është hipokrizi dhe mashtrim, por është vepër penale me të cilën duhet të mirren organet e drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu. /Telegrafi/