Site icon Telegrafi

Deputeti britanik thotë se Hashim Thaçi ka harxhuar shumë para për lobim rreth ndryshimit të kufijve

Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit britanik ka zhvilluar të martën në Londër një debat për marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Kosovën.

Ky ishte debati i tretë i madh i kësaj dhome në 20 vjetët e fundit.

Ministri britanik për Evropë, Sir Alan Duncan, ka paralajmëruar kundër prekjes së kufijve në kuadër të një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.

“Arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë-Serbi dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej”, ka thënë Duncan, ndër të tjera.

Pos tij, në këtë debat është përfshirë edhe deputeti laburist, John Grogan, i cili edhe e drejtoi atë.

Grogan ka thënë se për çështjen e ndryshimit apo korrigjimit të kufijve janë shpenzuar shumë para në Londër dhe kryeqendra tjera.

“Jam i kënaqur që javën e kaluar Presidenti i Kosovës (Hashim Thaçi) tha se këmbimi i territoreve nuk do të ndodhë kurrë. Para një viti ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por kjo ishte qasje e gabuar. Janë shpenzuar para bukur të mëdha për lobim në Londër dhe gjetiu për këtë çështje, por jam i kënaqur që Presidenti e ka ndërruar qasjen. Kryeministri dhe Parlamenti (i Kosovës) me të drejtë kundërshtonin këmbimet territoriale, korrigjimet e kufijve apo çfarëdo të quhen ato. Këto mund të jenë shumë destabilizuese në Ballkan”, ka deklaruar Grogan, citojnë mediat.

Edhe Dhoma e Lordëve (dhoma e lartë) e Parlamentit britanik ka debatuar për Kosovën në fillim të këtij viti.

Më 11 janar 2019, duke folur në këtë debat, Ministri i Shtetit për Komonuelthin dhe Kombet e Bashkuara, Lordi Ahmad i Uimbëldonit, siguroi lordët britanikë se “Qeveria e Lartmadhërisë së Saj nuk e mbështet rivizatimin e kufijve në vija etnike, dhe se këtë ua kemi bërë të qartë të dyja palëve (Kosovës dhe Serbisë)”.

Qëndrimi britanik kundër prekjes së kufijve të Kosovës ka qenë i pandryshueshëm prej verës së vitit të kaluar, kur u bë publike mundësia e këmbimeve territoriale për marrëveshje Kosovë- Serbi.

Exit mobile version