Site icon Telegrafi

Deputetët të enjten debatojnë për kontratat njëburimore – opozita i quan burim korrupsioni dhe kërkon hetim

Foto: Arkiv

Kuvendi i Kosovës të enjten do të mbajë seance të jashtëzakonshme me një pikë të vetme të rendit të ditës, nënshkrimi i kontratave njëburimore.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi u shpreh se kjo seancë e jashtëzakonshme është bërë me kërkesë të deputetes Hykmete Bajrami e përkrahur nga 39 deputetë të tjerë.

“Tenderët njëburimor nënkupton dhënien e kryerjes së punëve publike duke mos bërë shpallje publike por duke ftuar individualisht tre kompani dhe duke vendosur mbi bazën e preferencës së institucionit tenderues .Konsiderohet shkelje e jashtëzakonshëm dhe burim i madh i korrupsionit janë diku mbi 350 tenderë që janë dhënë me procedurën njëburimore”, tha Gashi.

Ai shtoi se kjo është një çështje që duhet të diskutohet në Kuvend dhe se kanë propozuar një rezolutë dhe do të shohim mundësinë për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se vetëm gjatë vitit 2023 janë lidhur 544 kontrata njëburimore dhe vlera e tyre shkon rreth 116 milionë euro.

“Kontratat burimore që janë kontrata burim i korrupsionit, kontrata të negociuara në tavolinë, që dëmtojnë buxhetin e Kosovës. Kjo është shqetësuese. Si Grup Parlamentar i  PDK kemi paralajmëruar se do të iniciojmë një komision hetimor parlamentar për të hetuar këto kontrata”, tha Tahiri.

Besnik Tahiri, shef i deputetëve të AAK-së, u shpreh se si grup parlamentar i kanë  dhënë mbështetjen për seancën e jashtëzakonshme për kontratat njëburimore.

“Një numër kaq i madh i këtyre kontratave, duhet ti nënshtrohen një hetimi serioz dhe të adresohen tek Prokuroria e Kosovës. Nuk duhet të jetë askush i heshtur aty ku shihet se ka vendimmarrje të njëanshme, arbitrare dhe korrupsion potencial”, tha ai.

E shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila theksoi se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit u caktua vetëm një seancë e jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës lidhur me kontratat njëburimore.

“Seanca do të mbahet të enjten në orën 10:00. Fatkeqësisht nuk arritëm dakordim për një seancë të rregullt, ku mund të kishim votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Mbetet ende sfiduese për ne që janë 12 marrëveshje ndërkombëtare që presin votimin në Kuvend”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version