Telegrafi

Deputetët senegalezë shqelmojnë kolegen shtatzënë, dënohen me nga gjashtë muaj burg

Dy deputetë të opozitës në Senegal janë dënuar me gjashtë muaj burg, për goditjen me shqelm në bark kolegen shtatzënë Amy Ndiaye gjatë një debati për buxhetin.

Gjykatësi urdhëroi gjithashtu Mamadou Niang dhe Massati Samba, që t’i paguanin deputetes Ndiaye pesë milionë franga CFA (8,100 dollarë amerikanë) si dëmshpërblim, transmeton Telegrafi.

Ligjvënësit sulmuan Ndiaye pasi ajo kritikoi një figurë fetare të opozitës, dhe incidenti i cili ndodhi më 1 dhjetor ndezi një debat rreth të drejtave të grave.

Në një video që është bërë virale, Samb shihet duke ecur drejt Ndiaye dhe duke e goditur me shuplakë gjatë debatit për buxhetin.

Ndiaye hakmerret duke hedhur një karrige, por në të njëjtën kohë goditet me shqelm në bark nga një koleg tjetër mashkull. Më pas shpërthen një rrëmujë teksa deputetët e tjerë përpiqen të qetësojnë situatën.

Ndiaye, që është anëtare e koalicionit qeverisës Benno Bokk Yakaar, i ra të fikët në parlament pas sulmit dhe kishte frikë se kishte humbur foshnjën.

Avokati i saj Baboucar Cissé i tha agjencisë së lajmeve AFP se ajo është “ende në një situatë jashtëzakonisht të vështirë”, pavarësisht se është liruar nga spitali.

Edhe pse ka një regjistrim, avokatët e Niang dhe Sambo pohuan në gjykatë se klientët e tyre nuk e kanë sulmuar fizikisht kolegun e tyre, shkruan BBC. /Telegrafi/