Site icon Telegrafi

Deputetët përplasen për Adem Jasharin dhe Ibrahim Rugovën

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, derisa paraqiti projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” tha se Kuvendi është lodhur dhe se në të po bëhet cirk.

Projektligji është përkrahur në parim nga të gjitha partitë politike, pasi e kanë konsideruar të rëndësishëm një projektligj të tillë.

Mirëpo, ishte deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, tha se ata që e dinë mirë historinë e Kosovës dhe ata që e kanë projektuar pavarësinë e Kosovës, do duhej të kishin përpara dy projektligje, për memorialin “Ibrahim Rugova” dhe memorialin “Adem Jashari”.

“Unë veç në këtë mënyrë e votoj këtë projektligj, dhe ftoj edhe LDK-në ta bëjë këtë, por edhe partitë tjera”, tha Tërmkolli.

Ndaj Tërmkollit replikoi deputeti Muja, duke thënë se më së paku ka pritur që të thotë dikush se po bëhet fushatë me këtë projektligj.

Sipas Mujës po bëhet përpjekje për ta shpëtuar një vlerë të jashtëzakonshme kombëtare, pasi Ademi nuk ka vdekur për një njeri, por për tërë Kosovën.

Përsëri deputetja Tërmkolli, e cila tha se nuk janë deputetët që vlerësojnë se kush është unik e kush jo.

“Vlerësimin kush është unik e kush jo, nuk e bën askush këtu, është e turpshme të vlerësosh kush është unik e kush jo. Ibrahim Rugovën e kanë njohur tërë bota”, tha Tërmkolli.

Për këtë projektligj Qeveria e Kosovës nuk e ka dhënë asnjë koment, derisa u kritikua nga deputetët pse nuk ka gjetur kohë të jep komentet e saj.

Exit mobile version