Site icon Telegrafi

Deputetët për nëntë muaj i harxhuan 55 mijë euro për dreka zyrtare (Dokument)

As tymi e gazi lotsjellës nuk i pengoi deputetët e Kuvendit të Kosovës të përfitojnë nga privilegjet që i gëzojnë si përfaqësues të popullit. Për nëntë muajt të vitit të kaluar, deputetët kanë shpenzuar 62 mijë e 239 euro nga mëditjet e udhëtimeve të jashtme.

Për akomodim të udhëtimeve zyrtare kanë shpenzuar 33 mijë e 418 euro. Ndërsa, për dreka zyrtare kanë shpenzuar 55 mijë e 481 euro.

Sipas raportit del se disa nga deputetet e Kuvendit kishin frekuentuar restorantet dhe hotelet luksoze të njohura në vend. Nuk duket që kanë hequr keq edhe për nga bisedat telefonike, ata për nëntë muaj të vitit 2015, kanë shpenzuar mbi 39 mijë euro telefon.

Kurse, për bileta të udhëtimit jashtë kanë shpenzuar 41 mijë e 837 euro. Mbi 4 mijë e 530 euro përfituan nga avancat.

Përfitues të këtyre privilegjeve që janë të cekura në raportin nëntëmujor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, duket të kenë përfituar të gjithë deputetët duke përfshirë pozitës –opozitë, minoritete.

Të dhënat e lartpërmendura janë bazuar në raportin për nëntëmujorin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës tek programi i deputetëve që ka kodin 10100. /KosovaPress/

Exit mobile version