Edhe pse deputetët pretendojnë se iu përgjigjen kërkesave të qytetarëve dhe se janë të hapur ndaj tyre, hulumtimet dëshmojnë të kundërtën. Sipas Institutit për demokraci, shumica e qytetarëve vlerësojnë se deputetët të cilave ua kanë besuar votat nuk i përfaqësojnë në mënyrë të denjë në kuvend ndërsa nuk funksionon fare as projekti “Zyra të hapura për komunikim me qytetarët”. Nga kuvendi arsyetohen se projekti nuk funksionon për shkak se partitë nuk kanë formuar ende grupe parlamentare ndërsa nuk ka përfunduar ende as seanca konstitutive e kuvendit.
Projekti “Zyra të hapura për komunikim me qytetarët” për momentin nuk funksionon, për shkak se nuk janë formuar grupet parlamentare dhe partitë politike nuk kanë dërguar zyrtarisht në adresë të Kuvendit lista me emrat e deputetëve dhe asistentëve të tyre – thuhet në kumtesën e Kuvendit të Maqedonisë.
Qytetarët e anketuar nga Alsat shprehen të zhgënjyer nga puna e deputetëve.
“Unë aspak nuk komunikoj dhe nuk flas me deputetët. Ata për mua nuk ekzistojnë.”
“Prej atyre s’ka gjë,hiç. Janë larguar ata. Aspak nuk interesohen për problemet tona.”
Zyrat e deputetëve ishin jofunksionale edhe në Tetovë. Qytetarët dhe të punësuarit thanë se edhe pse zyrat ekzistojnë, ato asnjëherë nuk i ka shfrytëzuar ndonjë deputet i rajonit të Tetovës. Jane Dimevski nga Instituti për demokraci tha se numri më i madh i qytetarëve të anketuar janë përgjigjur se deputetët nuk tregojnë interes për problemet e tyre madje 38 për qind prej qytetarëve nuk i dinë as emrat e deputetëve.
Në pyetjen se a ka ndodhur që deputeti rajonal të ngre iniciativë në Kuvend për ndonjë problem me të cilën ballafaqohet komuna, 42 për qind janë përgjigjur negativisht ndërsa 26 për qind janë përgjigjur pozitivisht. Në pyetjen se a i informon deputeti rajonal për aktivitetet e tyre në Kuvend, 52 për qind janë përgjigjur se kushtimisht nuk pajtohen me këtë, ndërsa një pjesë u përgjigjën negativisht. Domethënë, shumica e qytetarëve mendojnë se deputetët nuk i informojnë për aktivitetet e tyre – tha JaneDimevski, Instituti për Demokraci.
Përndryshe, NDI kishte kompetencat e projektit deri në vitin 2009. Prej vitit 2009 -2013 kompetencat e projektit tejkaluan tek Instituti për demokraci parlamentare ndërsa prej vitit 2013 Kuvendi i Maqedonisë ka kompetencat e plota mbi këtë projekt. /Telegrafi/