Ka filluar seanca e Kuvendi të Kosovës në të cilën pritet të shqyrtohen disa pika për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
Mirëpo kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në mirëkuptim propozoi që pikat e para të rendit të ditës të hiqen dhe të rifillohet me diskutim në orën 14:00, pasi siç tha ai në orën 12:00 do të mbahet përvjetori i Ukshin Hotit, në të cilën do të marrin pjesë.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj fillimisht propozoi që të larohen disa nga pikat e rendit të ditës, dhe të kalohet direkt në miratimin e rezolutës dhe komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë. por më pas ai u tërhoq nga ky propozim.
Ndërkaq, deputeti PSD-së, Driton Çaushi propozoi që të fillohet me shqyrtimin e temës kryesore në këtë seancë, i cili mocion nuk kaloi me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica tha se është mirë që në orën 14:00 t’i rikthehen seancës pasi një pjesë e deputetëve kanë planifikuar të shkojnë në Prizren, në nderim të Ukshin Hotit.
“Një pjesë e deputetëve e kemi planifikuar të shkojmë në Prizren. Në orën 14:00 të kthehemi të gjithë këtu sepse tema është shumë e rëndësishme”, tha Reçica.
Sami Kurteshi nga LVV theksoi se duhet të respektohet rendi i ditës.
“E kemi një rend dite, i cili rend dite na ka ardhur me kohë. Rruga më e mirë është që ta fillojmë seancën me pikat e rendit të ditës pasi gjatë ditës ka takime të ndryshme personale edhe grupore”, tha Kurteshi.
Deputeti i Nismas, Milaim Zeka propozoi që seanca e sotme të fillohet me një minutë heshtje, mirëpo reagimi i menjëhershëm i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli i tregoi Zekës se nuk mund të mbajnë një minutë heshtje për personat fati i të cilëve ende nuk dihet.
“Nuk mund të mbajmë një minutë heshtje për personat që nuk e dimë për fatin e tyre”, ka thënë Veseli.
Ndryshe, në këtë seancë në rend dite do të shqyrtohet rezoluta për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë; formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, vendimi për ndërtimin e muzeut të gjenocidit dhe Memorialit të Dëbimit, dhe caktimi i ditës së gjenocidit. /Telegrafi/