Emigrantët shqiptarë që nisen ilegalisht me kamionë nga Holanda drejt Britanisë së Madhe janë bërë një fenomen shqetësues. Dy deputetë holandezë kërkojnë nga ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit që të marrë masa për këtë situatë.
Deputetët Roy van Aalst dhe Lilian Helder kanë kërkuar nga ministri Van Nieuwenhuizen që t’i jepet fund fenomenit të refugjatëve shqiptarë që hipin në pjesët e pasme të kamionëve, për të përfituar një udhëtim falas ilegal drejt Britanisë së Madhe. Numri më i madh i emigrantëve ilegalë shqiptarë vihet re në Roterdam.
Shqiptarët, të cilët duan të emigrojnë drejt Britanisë në mënyrë ilegale, ngjiten në pjesën e pasme të kamionëve në lëvizje. Përveç se rrezikojnë jetën e tyre, ata bëhen edhe burim aksidenti për shoferët e kamionëve.
Për këtë arsye, deputetët e konsiderojnë kriminale sjelljen e emigrantëve shqiptarë dhe kërkojnë nga ministri që të marrë masa. Dy ligjvënësit i kanë kërkuar interpelancë parlamentare ministrit përkatës duke i bërë gjashtë pyetje se si do të zgjidhet ky fenomen shqetësues në rritje i krijuar nga shqiptarët ilegalë. Brenda 3 javësh, ministri holandez i Infrastrukturës dhe Mjedisit duhet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve. /TvKlan