Telegrafi

Deputetët e opozitës përplasen me njeri-tjetrin, Bardhi dhe Noka pengojnë Açkën të drejtojë komisionin në Kuvend

Përplasja brenda Partisë Demokratike është zhvendosur ditën e sotme në Komisionin e Medias në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka janë përplasur ashpër më dy koleget e tyre Flutura Açkën dhe me Merita Bakiun.

Gjatë përplasjes nuk kanë munguar as skenat, nga ku Gazment Bardhi dhe Flamur Noka i kanë shkulur mikrofonin me të cilën po drejtonte mbledhjen Flutura Açka.

Kryetarja e Komisionit refuzonte që t’u nënshtrohej skenarit të tyre të bllokimit të punimeve të Kuvendit.

Për të mos lejuar zhvillimin normal të mbledhjes, deputetët që mbështesin Sali Berishën vendosën në sallë edhe zhurmues. Më pas mbledhja u ndërpre.

Deputetja Flutura Açka e deleguar nga kryetari Lulzim Basha për drejtimin e grupit parlamentar, tha më herët se kryeparlamentarja Linidita Nikolla po e mban peng për interesa të mazhorancës.

“Drejtimi i grupit parlamentar pengohet nga Nikolla. Nuk ja jep grupit parlamentar të drejtën e tij për të dialoguar. Grupi parlamentar i takon Partisë Demokratike zyrtare. Ata janë deputetë të PD-së të regjistruar nën firmën e Bashës. Nuk kam autoritetin të hy në firmën e kolegëve të mi, ata janë deputetë më firmën e Bashës”, tha Açka. /Telegrafi/