Çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe kërkesa e faktorit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të rregullores së re të BQK-së ka përballur deputetët e partisë në pushtet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të opozitës, Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj duke folur për çështjen e dinarit dhe presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës për shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së, ka thënë se Kosova ka kaluar sfida shumë më të mëdha dhe më problematike se kjo.
Ai ka thënë se pas ndalimit të referendumit të Serbisë në Kosovë, pas vendosjes së kryetarëve në komunat e veriut dhe zhbërjes të strukturave paralele ka ardhur koha që të ndalohet edhe dinari përmes një vendimi profesional të BQK-së.
“Sigurisht që i kuptojmë shqetësimet e tyre, por tashmë BQK-ja ka marrë një vendim, e që besoj se kryeministri Kurti do ta ketë parasysh këtë gjë dhe sipas kësaj premise do të veprojë në të ardhmen”, ka thënë Rexhaj, për RTK, duke vënë në pah se pa mbështetjen e aleatit strategjik, SHBA-së, nuk do të ishte e mundur as pavarësia e Kosovës, as anëtarësimi në organizatat e ndryshme e as njohjet.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka thënë se reagimi i miqve ndërkombëtarë ka ardhur si pasojë e mosmenaxhimit të mirë të institucioneve vendore, sepse sipas tij institucionet për të marrë vendime të tilla është dashur të kenë koordinim me faktorin ndërkombëtar.
“Si deputet e kam parë me shqetësim reagimin e ambasadorit të SHBA-së rreth orës 23:00, që do të thotë se çështja është shumë serioze. Qeveria duhet të jetë vigjilente për veprimet që po i merr. Nga veprimet e para për tabelat, që mendoj se ka qenë veprim i drejtë, por që është dashur të jetë në harmonizim me partnerët e në veçanti me shtetet e QUINT-it, e sidomos me SHBA-në, sepse edhe atëherë është kërkuar që të shtyhet ai proces. Në fund, ashtu kështu u shty ai proces por masat na mbetën. Pra, dëmi mbeti dhe qytetarët ende i vuajnë pasojat”, ka thënë Beqa.
Sa i përket rregullores së BQK-së, Beqa ka thënë se ajo është e drejtë dhe është në harmonizim me ligjet dhe Kushtetutën, por problemi është se ka ngecje në harmonizim të qëndrimeve të qeverisë me partnerët.
“Kjo çështje është politizuar më shumë sesa që duhet. Është e nevojshme të shtyhet zbatimi i rregullores dhe të bëhet në koordinim me aleatët”, ka theksuar Beqa. /rtk/