Telegrafi

Deputetët e Listës Serbe po qëndrojnë në Kuvend në pritje të komisionerit Hahn, përkundër që ai vjen nesër

Deputetët e komunitetit serb janë futur sot në objektin e Kuvendit të Kosovës dhe thonë se nuk e kanë në mendje të dalin deri të takohen me komisionerin e BE’së, Johannes Hahn.

Presidenti i kësaj Liste, Goran Rakiq, ka njoftuar se pas takimit të jashtëzakonshëm të të ashtuquajturit shtab i krizës në Mitrovicë, deputetët serbë kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Momentalisht jemi duke u kthyer nga takimi i shtabit të krizave dhe dëshiroj të ju njoftoj se përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hyrë në Kuvend në Prishtinë ku do të qëndrojnë deri në ardhjen e Hahnit të cilin do ta njoftojmë me hapat anti-serbë që çojnë kah katastrofa humanitare”, ka thënë Rakiqi.

Komisioneri Hahn do të arrijë në Kosovë tek nesër, kështu që deputetët serbë të Kuvendit të Kosovë u duhet të bëjnë gjumin në objektin e legjislativit.

Ata kanë shpalosur mbishkrime që kundërshtojnë taksën  e vendosur nga Qeveria e Kosovës, e cila i ka shqetësuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, por edhe vetë shtetin serb.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe lideri AAK-së, Ramush Haradinaj, më herët ka thënë se taksa prej 100% për Serbinë largohet vetëm kur Serbia do ta njohë Kosovën si shtet.

“Heqja e kësaj takse do të bëhet vetëm atëherë kur Serbia do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, sepse po u tërhoqëm nga ky vendim ne do të tërhiqemi nga vetvetja”, ka thënë Haradinaj.

Me 29 nëntor, Haradinaj sërish ka përsëritur se kjo taksë nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia dhe krijimi i një marrëveshjeje përmbledhë se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim, Johannes Hahn, gjatë qëndrimit në Kosovë, fokus kryesor do të ketë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina./Telegrafi