Telegrafi

Deputetët e LDK-së bëjnë homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe i Kolonelit Ahmet Krasniqi

Me rastin e mandatimit të sotëm në Kuvend, të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, grupi parlamentar i LDK-së ka bërë homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i Ministrit të parë të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Sipas një njoftimi, sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se kjo ditë mbetet historike për popullin e Kosovës dhe meritën e ka Komandanti i parë i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës, ish-Presidenti Rugova, i cili ndërtoi rrugën për formimin e ushtrisë të shtetit tonë.

“Është kulmimi i sakrificës së popullit të Kosovës që rezultoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, sot mandatimit të ushtrisë së Kosovës. Po bëjmë homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, Komandanti Suprem i Ushtrisë së Kosovës për të kujtuar kontributin e tij drejt shtetformimit të vendit tonë, ne aleancë të fuqishme me ShBA-të, Gjermaninë, Britaninë dhe gjithë botën perëndimore”, ka thënë Beqiri në përkujtim te varri i Presidentit Rugova.

Ndërkaq, siç thuhet tutje, deputetët e LDK-së, kanë vazhduar te varri i Kolonel Ahmet Krasniqit, në nderim të veprës së tij.

“Njëkohësisht po bëjmë homazhe te Ministri i parë i Mbrojtjes së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi, i cili dedikoi jetën për çlirimin dhe lirinë për një Kosovë të pavarur. Urime qytetarëve të Kosovës formimin e Ushtrisë së Kosovës”, u shpreh Ismet Beqiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se e ka përkrahur në vazhdimësi këtë transformim dhe është e bindur se kjo ushtri do t’i shërbejë gjithë vendit dhe rajonit për siguri, paqe dhe stabilitet. /Telegrafi/