Telegrafi

Deputet në Komisionin e Sigurisë kërkojnë sqarime nga kreu i SHISH Vlora Hyseni për situatën në veri të Kosovës

Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë kanë kërkuar që drejtuesja e Shërbimit Informativ Shqiptar SHISH, Vlora Hyseni të sqarojë rolin e vendit tonë mes tensioneve në veri të Kosovës.

Nasip Naço, kryetari i Komisionit të Sigurisë pati një përplasje me deputetët konkretisht me Ervin Salianjin i cili kërkoi fjalën dhe me Falmur Nokën i cili pretendon se Hyseni nuk po jep sqarime siç i takon.

“Kërkesa për procedurë jepet në mënyrë të menjëhershme dhe kërkesën proceduriale para se t’i bësh ti ose siç i bën ti kërkesë drejtueses së shërbimit, ka një kërkesë dhe një interes të shtuar publik. Mos u sill si pronar se nuk të shkon. Mbajini në xhep drejtuesit. I emëroni si i emëroni, për çfarë i thërrisni në komision, mbajini në xhep”, u shpreh Salianji.

“Lule mos më prek s’ka këtu”, u kthye Noka, duke iu referuar këtu Vlora Hysenit.

Ndërkaq, Naço ndërpreu seancën për 5 minuta pushim, pasi tha se deputetët qëndrojnë urtë kur nuk ka media dhe dëshirojnë protagonizëm në praninë e kamerave.

Kërkesa për këtë seancë është përpiluar nga deputeti Ferdinand Xhaferraj dhe është mbështetur nga të gjithë deputetët e opozitës në Komision, me përjashtim të Enkelejd Alibeajt i cili nuk ka firmosur. /Telegrafi/