Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, sot ka zhvilluar një operacion në Prishtinë në lagjen “Velania”, me ç’rast janë identifikuar 22 shtetas nga Shqipëria me qëndrim të parregulltë në Kosovë.
Në një komunikatë për media thuhet se këta shtetas kanë qenë të ndarë në tri familje, disa prej tyre të mitur, të shoqëruar nga prindërit e tyre.
Trajtimi i tyre është bërë sipas dispozitave të Ligjit për të Huajt me ç’rast janë zbatuar dispozitat ndëshkimore si dhe janë ndërmarrë masat e deportimit të disa prej tyre përmes vendimeve për largim vullnetar si dhe disa të tjerëve përmes vendimeve për largim me forcë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Shkeljet sipas Ligjit për të huaj kanë të bëjnë me veprimtarinë lëmosh-kërkues dhe muzikantë rruge, mos paraqitja e adresave të banimit të tyre, tejkalimi i qëndrimit brenda periodës kohore, si dhe mos posedimi i mjeteve financiare të mjaftueshme për jetesë në Kosovë.