Telegrafi

Depoja e armatimit me 188 mijë tonë municion përfshihet nga zjarri në Ukrainë, mijëra raketa e granata shpërthejnë në qiell – evakuohen 33 mijë banorë (Foto/Video)

Afro 30 mijë persona janë evakuuar në pjesën qendrore të Ukrainës, pasi një depo e armatimit të ushtrisë brenda të cilës kishte mbi 188 mijë tonë municion, është përfshirë nga flaka, shkruan Daily Mail.

Depoja e armatimit në Kalinkova afër Vinnytsia është përfshirë nga zjarri dhe ka krijuar një shpërthim shumë të fuqishëm, ku në fotografitë e publikuara më poshtë mund të shihen se si në qiell fluturojnë topa gjigant të zjarrtë, raketa dhe armë tjera, transmeton Telegrafi.

Dy gra që jetonin afër deposë janë dërguar me urgjencë në spital, pasi kanë pësuar lëndime të rënda trupore pasi u janë ngulur në trup copëza të granatave të shpërthyera, ndërsa më shumë se një mijë zjarrfikës dhe pjesëtarë të gardës nacionale të Ukrainë, kanë bashkuar forcat për të lokalizuar zjarrin.

Ende nuk dihet se çfarë shkaktoi zjarrin, por mediat lokale raportojnë se prapa këtij sabotimi qëndrojnë rusët.

Mijëra predha kanë shpërthyer në qiell, kurse depoja e municionit që është përfshirë nga zjarri konsiderohet si më e madhja në Ukrainë.

Gazetari Yury Butusov, kryeredaktor i censor.net, beson se prapa këtij shpërthimi të fuqishëm qëndron Rusia.

Ai madje pretendon se ishte “dhuratë” e presidentit rus Vladimir Putin, për homologun e tij ukrainas Petro Poroshenko, i cili të martën mbushi 52-vjet. /Telegrafi/