Telegrafi

Depay mund të rikthehet te Manchester United, Ten Hag kërkon transferimin e holandezit

Memphis Depay mund të rikthehet te Manchester United pas pesë viteve që është larguar nga Old Traford.

Sulmuesi holandez vazhdon ta ketë të paqartë të ardhmen e tij e cila nuk duket se do të jetë te Barcelona.

Duke marrë parasysh numrin e madh të lojtarëve në repartin ofensivë te gjiganti katalunas, Depay është nxjerr në shitje nga drejtuesit e klubit.

E ardhmja e tij pritet të jetë në Angli, ku së fundmi në garë është futur edhe ish-skuadra e holandezit, Manchester United.

Trajneri i Djajve të Kuq, Erik Ten Hag e pëlqen shumë sulmuesin dhe ka kërkuar nga drejtuesit e klubit afrimin e tij gjatë këtij afati kalimtar veror.

Barcelona është gati të pranojë një ofertë prej 20 milionë euro për ta lënë të lirë holandezin që ka kontratë me klubin deri në verën e vitit të ardhshëm.

Interesim për 28-vjeçarin kanë shprehur edhe skuadrat tjera angleze si Everton, Newcastle United, West Ham dhe Tottenham Hotspur.

Reprezentuesi holandez qëndroi një vit e gjysmë te Manchester United nga vera e vitit 2015 deri në janarin e vitit 2017. /Telegrafi/