Site icon Telegrafi

Departamenti i Drejtësisë hedh në gjyq Kaliforninë mbi ligjet e imigracionit

Prokurori i Përgjithshëm amerikan Jeff Sessions u zotua të mërkurën të thyejë qëndresën që po u bën Kalifornia përpjekjeve federale për të zbatuar ligjin për imigracionin, një ditë pasi Departamenti i Drejtësisë, i cili drejtohet nga Sessions, paraqiti padi kundër Kalifornisë lidhur me politikat e imigracionit që ndjek ky shtet.

Kjo masë është një tjetër dëshmi e përplasjeve mes qeverisë federale dhe autoriteteve demokrate që drejtojnë shtetin e Kalifornisë, të cilat janë përpjekur të sfidojnë administratën Trump duke strehuar dhe mbrojtur popullatën pa dokumente qëndrimi nga masat që parashikon ligji federal.

“Kalifornia po përdor çdo mundësi që ka e që nuk ka për të penguar autoritetet federale të zbatimit të ligjit. Të jenë të sigurt se edhe unë do të përdor çdo mundësi që kam për t’i ndalur,” tha Sessions, autoriteti më i lartë i zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara, shkruan VOA.

Në komentet që bëri në kryeqytetin e Kalifornisë, Sakramento, para Shoqatës së Policëve të Kalifornisë, Prokurori i Përgjithshëm Sessions i cilësoi si rrezik për policinë ligjet e shtetit të Kalifornisë që kanë krijuar zona “të sigurta” për të strehuar imigrantët pa dokumente.

“Ne po luftojmë që t’ua bëjmë punën më të sigurt dhe t’u ndihmojmë të luftoni krimin. Po luftojmë që të kemi një sistem të ligjshëm imigracioni që u shërben shtetasve amerikanë. Jemi të vendosur ta fitojmë këtë luftë”, tha Sessions.

Padia e paraqitur të martën i deklaron tre ligje të Kalifornisë si pengesë për zbatimin e ligjit federal për imigracionin, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës amerikane në bazë të së cilës, ligji federal është suprem mbi ligjet shtetërore.

Ligjet të cilave u referohet padia, u ndalojnë punëdhënësve të lejojnë në bizneset e tyre agjentë federalë të imigracionit për të kontrolluar dokumentet e punonjësve pa pasur urdhër nga gjykata, si dhe u ndalon forcave shtetërore të rendit të kontaktojnë agjentët e imigracionit kur lirohet nga burgu një imigrant pa dokumente. /Telegrafi/

Exit mobile version