Kampioni botëror në kategorinë e peshave të rënda, Deontay Wilder, do ta mbrojë titullin e tij kundër sfiduesit të detyrueshëm, Dominic Breazeale, më 18 maj në New York.
Barclays Center është arena e caktuar nga WBC për këtë duel, pasi Tyson Fury vendosi për një duel tjetër në vend të rimeçit me boksierin amerikan.
33-vjeçari Breazeale ka humbur vetëm një nga 21 përballjet e tij, edhe atë nga kampioni i IBF, WBO dhe WBA, Anthony Joshua, në vitin 2016.
“Unë e kam çelësin e kësaj kategorie. Do ta nokautoj këtë budalla”, ka thënë Deontay në konferencën për shtyp.
Dy boksierët kanë pasur konflikte në të kaluarën, pikërisht në një hotel në Alabama në vitin 2017. Asokohe, Breazeale kishte thënë se Wilder dhe ekipi i tij e kishin sulmuar atë dhe familjen e tij gjatë një darke. /Telegrafi/