Një operacion i organizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale ka çuar në arrestimin e 51-vjeçarit Albert Koni në zonën e Maminasit.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike dhe ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Torino me 4 vjet e gjysmë burgim.
Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij në Itali.
“Në vazhdën e operacioneve të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në ndërkombëtar që fshihen në Shqipëri, si dhe si rezultat i bashkëpunimit me homologët e Policisë italiane, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Operacionalja 34”.
Gjatë operacionit, është kapur në Maminas dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Albert Koni, 51 vjeç, banues në Maminas.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Torinos, Itali, me vendimin e datës 10.01.2025, e ka dënuar me 4 vjet, 5 muaj dhe 21 ditë burgim, për trafikim të lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.