Një 50-vjeçar i dënuar me dy vite burg është arrestuar këtë të enjte nga policia e Rinasit, pranë aeroportit të Tiranës.
Shtetasi Sefer Agasi u ndalua nga shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas pasi Gjykata e Dibrës e ka dënuar këtë shtetas, me 2 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
50-vjeçari ishte dënuar për një ngjarje të vitit 2016, ku paraqiti në Pikën Kufitare të Bllatës, dokumente false, me qëllim zhdoganimin e një automjeti.
Ai do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim vuajtjen e dënimit.
“Si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Rinas, si dhe pas intervistimit të detajuar të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, u bë ndalimi i shtetasit Sefer Agasi, 50 vjeç.
Gjykata e Dibrës e ka dënuar këtë shtetas, me 2 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Në vitin 2016, ai ka paraqitur në PKK Bllatë, dokumente false, me qëllim zhdoganimin e një automjeti”, njofton policia. /Telegrafi/