Një 57-vjeçar, i shpallur në kërkim dhe i dënuar nga drejtësia italiane për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve është arrestuar nga policia ditën e sotme.
Bëhet fjalë për shtetasin Ilir Plaku, i cili është i dënuar në Itali me 12 vite burg dhe i kanë mbetur për të kryer edhe 2 vite e 4 muaj.
“Shërbimet e Operacionales të DVP Durrës në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim organizuan punën duke bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim ndërkombëtar Ilir Plaku, 57 vjeç, banues në Durrës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur njohjen e Vendimit penal të formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Cagliarit e cila ka ndryshuar pjesërisht vendimin e datës 22.04.2008 të Gjykatës së hetimeve paraprake të Cagliarit duke e dënuar shtetasin Ilir Plaku me 12 vite burgim, për kryerjen e veprës penale “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga legjislacioni penal Italian.
Me vendim penal të datës 24.01.2022, Gjykata e Apelit ka vendosur lënien në fuqi të Vendimit penal nr.589 datë 29.06.2021 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës. Shtetasit Ilir Plaku i mbeten për të vuajtur edhe 2(dy) vite e 4 (katër) muaj burg”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime te mëtejshme. /tch/