Një dentist i dhunshëm është duke u hetuar nga policia pas publikimit të një video, ku shihet se si sillet ashpër dhe rrah një djalë të vogël i cili kishte shkuar me prindërit për ta nxjerr një dhëmb.
Incidenti ka ndodhur në Aktau të Kazakistanit, kurse pamjet e kamerave të sigurisë të publikuara në rrjetet sociale janë shpërndarë në masë të madhe, transmeton Telegrafi.
Dentisti Tolegen Mukambetov, 26-vjeç, e kap dhunshëm djaloshin 7-vjeç dhe e përplas për karrige, pranë të cilës qëndronte motra e tij. Sikur kjo të mos i mjaftonte, ai e kërcënoi se do ta godet me veglat e punës që i mbante në dorën e majtë.
“Dy motrat ishin të pranishme në momentin kur ndodhi incidenti, por është interesant se ato nuk reaguan fare ndaj sjelljeve të dentistit”, thuhet në raportin e policisë.
Në anën tjetër e ëma e vogëlushit, Kizgaldak Saparova ka deklaruar se ia kishte bërë me dije mjekut se i biri i saj po frikësohet nga nxjerrja e një dhëmbi.
“Por, pasi e kishte nxjerrë nga ordinanca, djali më tha se dentisti e kishte rrahur”, ka shtuar e ëma e tij që pranoi se kishte dëgjuar atë duke e thirrur.
Ajo mbeti e shokuar kur pa pamjet nga kamerat e sigurisë, sa që menjëherë i kishte telefonuar policisë për ta paraqitur rastin e dentistit.
Stomatologu është nën hetime dhe sipas ligjeve në fuqi me këtë veprim, mund të përfundojë prapa grilave për të paktën 10 ditë. Gjithashtu rrezikohet ti merret licenca e mjekut. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=1moYsOlSyxI